You Are Here: Home » MITOLOGJI » Greke » MITOLOGJIA GREKE – Origjina e miteve

MITOLOGJIA GREKE – Origjina e miteve

Shkëputur nga libri: “MITOLOGJIA, FILOZOFËT DHE POETËT E LASHTË GREKË (I)” – Lorena Stroka

Siç është e njohur, të gjithë popujt e lashtë përveç formave të ndryshme të letërsisë si legjendat, përrallat, poemat, lirikat, bejtet kishin dhe mitet. Mitet ishin histori të bazuara në tradita të vjetra dhe legjenda, qëllimi i tyre ishte të shpjegonin se si filloi krijimi i gjithçkaje në nivel kozmik dhe lokal. Për shembull, në të gjitha mitologjitë e botës ka mite që flasin për problemet kozmologjike (krijimin e universit, yjet etj.,). Ka gjithashtu dhe mite themelimi që shpjegojnë fillimin e funksionit të një qyteti. Athina, Roma, Bizanti (Konstandinopoja) si dhe shumë të tjera kanë nga një histori të veçantë themelimi.

Mitet shpjegojnë dukuri natyrore, boshllëqe të pashpjegueshme kulturore, forca të mbinatyrshme si dhe çdo gjë tjetër që nuk mund të interpretohet në mënyrë racionale. Megjithatë, jo të gjitha mitet u krijuan për qëllime interpretuese…

…………………………………………………………..

Pjesa më e madhe e mitologjisë Greke përbëhet nga një grumbull tregimesh që shpjegojnë prejardhjen e botës dhe rrëfejnë jetën e shumë personazheve, (hyjnive, heronjve, heroinave dhe krijesave të tjera mitologjike). Këto tregime u shpërndanë goja-gojës, në formë vjershash nga brezi në brez, duke ndërtuar kështu bazën e letërsisë së vjetër. Burimet më të vjetra letrare janë poemat epike të Homerit “Iliada” dhe “Odisea”, brenda të cilave përshkruhen hollësisht të gjitha ngjarjet e ndodhura gjatë Luftës së Trojës. Më vonë, dy poezitë e Hesiodit “Θεογονία” dhe “Έργα και Ημέραι” përmbajnë përshkrime për gjenezën e botës, pasimin e sundimtarëve hyjnorë, vazhdimësinë e kohërave njerëzore, prejardhjen e trishtimit njerëzor dhe praktikat flijuese…

Elementet mounumentale të gjetura në Mikinë ndihmuan në zgjidhjen e shumë pyetjeve të krijuara nga poemat Homerike si dhe dëshmuan detaje të panumërta mitologjike lidhur me Perënditë dhe heronjtë e asaj kohe. Mitologjia Greke nuk u kufizua vetëm brenda shkrimeve, ajo u përcoll akoma dhe përmes gdhendjes, skalitjes dhe pikturës në objekte. Për shembull, figurat gjeometike mbi qeramikë në shek. VIII p.e.r., përshkruajnë skena nga lufta e Trojës dhe bëma heronjsh. Në periudhat arkaike, klasike dhe helene skenat homerike plotësojnë të dhënat ekzistuese të letërsisë.

Mitologjia Greke ka pasur ndikim të gjerë mbi kulturën, artet dhe letërsinë e qytetërimit perëndimor si dhe vazhdon të mbetet pjesë e trashëgimisë perëndimore.

 

Tregimi mitik mbizotëron thuajse në çdo formë të letërsisë Greke. Burime të besueshme letrare kanë treguar se “Iliada” dhe “Odisea” përbëjnë shkrimet e para greke, pastaj vijojnë “Himnet Homerike” (përveç emrit, nuk kanë asnjë lidhje tjetër me Homerin) si dhe disa vjersha të tjera më të shkurtëra. Hesiodi, bashkëkohës i Homerit përmes poemës së tij “Θεογονία” arrin të bëjë përshkrimin më të plotë të miteve të hershme greke. Mitet e theogonisë që formuan/thurën lavditë popullore, përpiqen të shpjegojnë krijimin e botës, origjinën e zotave, titanëve, gjigandëve dhe formimin e gjenealogjive. Në poemën didaktike për jetën bujqësore “Έργα και Ήμεραι”, përfshihet miti i Prometeut, Pandorës dhe katër stinëve. Poeti jep këshilla se si të mbijetosh në një botë të rrezikshme, që bëhet akoma më e rrezikshme nga Zotat.

              ……………………………………………………………………….

Poetët lirikë shpesh herë frymëzoheshin nga mitet, mirëpo përpunimi i vazhdueshëm i lirikave i bënte më pak rrëfyese dhe më shumë nënkuptuese. Ndërsa në veprat klasiko-tragjike mitet ishin më të dukshme. Tre tragjedianët më të mëdhenj grekë: Eskili, Euripidi dhe Sofokliu gjallëruan më së miri heronjtë e hershëm përmes veprave të tyre të suksesshme si Medea, Edipi, Jasoni etj…

………………………………………………………………………

Mes shumë historive mitike do të veçoja historinë e Dedalit dhe Ikarit, një histori përlotëse që ia vlen të kujtohet…

Dikur në kohët e lashta në qytetin e Athinës jetonte një burrë që e quanin Dedal, një artisti madh me aftësi të jashtëzakonshme arkitektonike, cilido që shikonte skulpturat e tij madhështore të punuara me mjeshtëri të veçantë, veç fjalë të mira thoshte. Fama e Dedalit i kishte tejkaluar territoret e Greqisë dhe falë punës së tij artistike kishte arritur të krijonte një pasuri të kënaqshme. Dedali kishte një djalë, Ikarin, ishte aq i sjellëshëm dhe i zgjuar sa dukej e pabesueshme të ishte i vërtetë.

Megjithëse s’i mungonte thuajse asgjë, brendësisht ëndërronte të udhëtonte në vende të ndryshme dhe të njihte kultura e njerëz të rinj. Derisa një ditë, vendosi të realizonte ëndrrën e tij të madhe… udhëtimet.

Bashkë me të birin hipën në një anije dhe u nisën për rrugë. Udhëtuan kështu për ditë të tëra, derisa mbërritën në ishullin e bukur të Kretës. Sunduesi i atëherëshëm i Kretës (Minosi) u shtroi një gosti madhështore, ndihej shumë krenar që në pallatin e tij kishte ardhur artisti më famëmirë i kohës. Duke qenë i pashembullt në artin e vet, Minosi i kërkoi t’i ndërtonte një pallat të ndërlikuar me qindra ngatërresa, një labirinth të vërtetë, me qëllim që çdokush që të hynte në të, të mos dilte më prej andej. Kishte ndërmend që brenda tij të izolonte përbindëshin më të tmerrshëm, gjysmë-njeri e gjysmë-dem që ushqehej vetëm me mish njeriu.

       Ndërsa vitet kishin kaluar dhe Dedali kishte bërë gjithçka mundej për Minosin i kërkoi të kthehej në Athinë. Mirëpo dinaku i Kretës i tha se kjo ishte e pamundur dhe se ai tashmë ish bërë pjesë e pallatit të tij.  Qëndrimi i ftohtë i mbretit e detyroi të shtronte një plan vetjak. Mori ca pendë shqiponje dhe ndërtoi dy palë krahë, për vete dhe për të birin. Para se t’i ngjisnin në shpatulla, Dedali e këshilloi të birin të mos fluturonte në afërsi të diellit se nga nxehtësia do të shkrinte dylli, dhe krahët do të shqiteshin. Dita e largimit erdhi… Ndërsa at e bir fluturonin si shqiponja qiellit të pafund ndodhi ajo që nuk duhej. Ikari harroi dhe iu afrua diellit, brenda disa çasteve ra në det. Hidherimi i Dedalit ishte i papërshkrueshëm, derdhja e lotëve nuk arriti t’i shëronte plagën e humbjes së djalit të vetëm, edhe pse vazhdoi të ndërtonte godina të mrekullueshme zemrën e kishte te pushtuar nga një re dhembjeje…”/AlbStroka.com/

vijon…

© Ndalohet ribotimi i shkrimit pa autorizimin e autores.

Copyright © 2014 AlbStroka.com

Scroll to top