You Are Here: Home » MITOLOGJI » Greke » MITOLOGJIA, FILOZOFËT DHE POETËT E LASHTË GREKË – Lorena Stroka

MITOLOGJIA, FILOZOFËT DHE POETËT E LASHTË GREKË – Lorena Stroka

Parathënie

Libri “MITOLOGJIA, FILOZOFËT DHE POETËT E LASHTË GREKË (I)” është një botim me karakter filozofiko-letrar, që i shtohet bibliotekës së nxënësve dhe studentëve shqiptarë që dëshirojnë të thellojnë njohuritë e tyre në kulturën e lashtë Greke.
Ai është ndërtuar mbi bazën e kërkesave bashkëkohore. Libri është i ndarë në tri pjesë, në të parën, shpalosen këndshëm disa nga legjendat më të bukura dhe episodike të ndodhura gjatë lashtësisë. Në pjesën e dytë, renditet jeta dhe vepra e 26 filozofëve të lashtë Greke, ndërsa në të fundit, shtjellohet në mënyrë të detajuar veprimtaria letrare e 8 poetëve më të njohur të antikitetit. Gjatë këtyre tri njësive, ka pjesë interesante të përkthyera si, “Ifigjenia në Tauris” dhe ” Apologjia e Sokratit”. Dikur, e kisha këshilluar Lorenën që të angazhohej me përpilimin e librave studimorë, pasi aty vëreja pulsimin e talentit të saj. Kur para disa muajsh, më informoi lidhur me idenë e librit që “bluante” në mendje, i thashë se ishte zgjedhja më e mirë që mund të bënte, dhe realisht nuk u përgënjeshtrova, këtë e vërtetova kur mora përsipër redaktimin e librit të saj. Pavarësisht se është shumë e re në moshë, Lorena, ka arritur të ndërthurë në mënyrë metodike një vepër shumë të rëndësishme si nga përmbajtja po ashtu edhe nga estetika e fjalës, të cilën është vështirë të guxojnë ta shkruajnë akoma dhe shkrimtarë të përvojshëm në lëmin e letërsisë.

Dr. Joanis Papadhopulos

Autori: Lorena Stroka
Titulli: MITOLOGJIA, FILOZOFËT DHE POETËT E LASHTË GREKË (I)
Botimet: Xartino Karavi
Lloji: Filozofi – Letërsi
Faqe: 212
Pjesë të shkëputura nga libri:

Ledës, i pëlqente të ecte ngadalë dhe të kundronte flakët e agimit, në atë tokë të bekuar. I pëlqente gjithashtu të shtrinte trupin e bukur mbi dyshekun e butë, trup i denjë për të frymëzuar artin e Fidesë dhe Praksitelit. Hiret e saj të magjishme pas zhytjes në valën e kristaltë, shkëlqenin si yje. Velloja e lehtë dhe e hollë, të linte të përfytyroje përsosmërinë e lakuriqësisë verbuese. Pamja e saj tërheqëse ishte aq mahnitëse sa që nuk la pa magnetizuar akoma dhe vështrimin e kryezotit. Por në ç’mënyrë të shfaqej, në aq vetmi, për të mos tronditur mbretëreshën e qetë? Jashtë madhështisë së mjellmave që rrëshqisnin mbi ujë si anije të fildishta të shtyra nga flladet e lehta, Leda nuk shihte asgjë tjetër. Po sikur Zeusi të shndërrohej në një nga ata zogjtë lozonjarë që fluturonin mbi të bukurën, Ledë? Pse të mos ta provonte? Se mos ishte hera e parë që do bënte një gjë të tillë?… (vijon).

…Midis mëkatarëve më të mëdhenj, më i njohuri i të gjithëve ishte Tantali, për shkak të ndëshkimit karakteristik që i’u imponua. Mbreti i Lidisë, pranoi vizitën e zotava, dhe u shtroi një gosti të mrekullueshme. Për të kontrolluar rreptësinë e fuqisë hynjore, i erdhi një ide e çuditëshme: Në mes të gostisë, u ofroi mjaltet e të birit, Pelopa. I mbushur me indinjatë, për një baba të sëmurë-psikik dhe i fyer si Zot, Zeusi, e dënoi me uri dhe etje të përjetshme. Hermesi, mori përsipër ekzekutimin e dënimit. Lajmsjellësi qiellor, e lidhi Tantalin me zinxhirë në krah të një burimi, të ftohtë e të kulluar, nën pemë të mbushura me fruta të pjekura. Sapo bënte para të pinte, uji largohej. Sapo ngrinte dorën të këpuste një frut, degët ngjiteshin lart. Dëshira e tij e parealizuar, u bë sinonim i torturës së frikshme: “Tortura e Tantalit”… (vijon).

Pjesë nga bashkëbisedimi i Ifigjenias dhe Orestit:

Oresti
Gjithçka që the, tingëllonte bukur, përveç një gjëje. Kjo therrje është torturuese dhe e padurueshme për mua. Anijen e fatkeqësisë e kam ngarkuar unë. Ai veç bashkëudhëton me mua si ndihmës. Kështu që nuk është e drejtë që me shkëmbim vdekjen e shokut unë të gëzoj e t’i rrëshqas së keqes. Po le të bëhet ndryshe. Letra që më dhe për në Argos, do të dorëzohet dhe çdo gjë tjetër që të më kërkosh, do ta bëj. Mua lermë të më vrasë kush të dojë. Turp i madh të hedhësh miqtë në zjarr për t’u shmangur vetë. Jeta e një miku si këtij këtu nuk është më pak e vlefshme se e imja.
Ifigjenia
O sa shpirt fisnik! Mik i rrallë e i përsosur. Makari dhe vëllai im i mbetur pas, të të ngjajë, se dhe unë kam vëlla, o i huaj, më janë tharë sytë pa e parë.
Eh, le të bëhen gjërat ashtu siç do ti.
Oresti
Ç’sakrificë e tmerrshme, kush do ta marrë përsipër?
Ifigjenia
Unë, në këtë mënyrë e shlyej… (vijon).

Botime të tjera të autores:


© 2010 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Copyright © 2008 AlbStroka.com

Scroll to top